Projektligji i ri për Dhomat e Specializuara: Juristja Milori detajon mundësinë e faljes dhe amnistisë nga Presidenti i Kosovës
Juristja Elta Milori, e ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, ka ofruar një analizë të hollësishme mbi projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë, duke theksuar ndikimin potencial të tij mbi individët që janë në proces gjyqësor ose janë dënuar nga këto Dhomave në Hagë.
Milori vuri theksin veçanërisht te një prej risive kryesore të këtij projektligji: mundësinë që i jepet Presidentit të Kosovës për të falur dhe amnistuar edhe personat që gjykohen ose janë dënuar nga Dhomat e Specializuara. Ajo e cilësoi këtë projektligj si “shumë optimist” për trajtimin e këtyre rasteve, pavarësisht “problematikave dhe kaosit politik” me të cilat po përballet Kosova aktualisht.
Megjithatë, juristja qartësoi se projektligji nuk do të ndikojë në procedurat gjyqësore që janë në zhvillim e sipër në Dhomat e Specializuara, duke nënkuptuar se proceset, përfshirë ato të apelit, do të vazhdojnë atje. Risia, sipas Milorit, është hapja e “dritës jeshile” për një gjykim të brendshëm në Kosovë. Kjo do të realizohet nëpërmjet Gjykatës Supreme në Prishtinë, e cila do të fitojë juridiksionin dhe të drejtën për të shqyrtuar vendimet e Dhomave të Specializuara si instancë përfundimtare, duke shërbyer si një nivel i tretë gjykimi.
Një tjetër pikë thelbësore e projektligjit është parashikimi që dënimi maksimal të jetë 15 vite, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim. Në rast se ky projektligj miratohet, personat që kanë kaluar këtë periudhë në paraburgim do të konsiderohen se e kanë kryer dënimin. Milori theksoi se dispozitat kryesore – falja/amnista presidenciale, rishikimi nga Gjykata Supreme dhe kufizimi i dënimit – do të hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të ligjit.
Dhomat e Specializuara, që merren me krimet e luftës dhe gjenocidin, tradicionalisht kanë pasur vendime apeli të formës së prerë. Megjithatë, ky projektligj synon të ndryshojë këtë duke lejuar ankimet e vendimeve të tyre për t’u shqyrtuar nga Gjykata Supreme e Prishtinës. Juristja Milori theksoi se suksesi i këtij projektligji varet nga gjetja e konsensusit në Parlamentin e Kosovës për miratimin e tij dhe më pas dekretimin nga Presidenti.

