Zjarr i fuqishëm në Malin e Tërbunit në Pukë, situata konsiderohet alarmante
Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka shpërthyer pasditen e sotme në Malin e Tërbunit, pjesë e Bashkisë Pukë, duke krijuar një situatë tejet alarmante. Flakët, të favorizuara nga erërat dhe terreni i vështirë malor, po përhapen me shpejtësi, duke kërcënuar dhe djegur sipërfaqe të gjera pyjore.
Bashkia Pukë ka njoftuar se ndërhyrja për shuarjen e zjarrit po has vështirësi të mëdha, pasi terreni i thyer malor pengon depërtimin dhe operimin e mjeteve zjarrfikëse në zonat më të prekura. Pavarësisht kësaj, në terren janë angazhuar maksimalisht strukturat e Bashkisë, Shërbimi Zjarrfikës, strukturat e shërbimit pyjor, si dhe punonjës të shërbimeve të ndryshme, të cilët po punojnë pa ndërprerje për kufizimin dhe vënien nën kontroll të vatrave.
Përballë kësaj situate kritike, Bashkia Pukë ka lëshuar një apel urgjent për bashkëpunimin e qytetarëve. Banorët, të rinjtë dhe të gjithë ata që shfaqin vullnetin për të kontribuar, janë ftuar të bëhen pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen e pyjeve dhe pasurisë natyrore. Vullnetarizmi dhe solidariteti qytetar konsiderohen thelbësorë në këtë moment të vështirë.
Autoritetet theksojnë se çdo ndërhyrje nga qytetarët vullnetarë duhet të bëhet vetëm në koordinim të ngushtë me strukturat profesionale dhe sipas udhëzimeve të tyre, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë. Qytetarët e interesuar për të dhënë ndihmën e tyre janë ftuar të kontaktojnë me strukturat përgjegjëse të Bashkisë Pukë.
Mali i Tërbunit, një pasuri e rëndësishme natyrore për Pukën, është sot nën kërcënimin e flakëve, duke kërkuar angazhimin, përgjegjësinë dhe solidaritetin e të gjithëve për ta mbrojtur.

