Kryeministri Rama Inspekton Himarën Pas Zjarrit, Mesazh Shprese: “Çfarë s’na vret na bën më të fortë”
Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e së shtunës një vizitë inspektimi në Himarë, në zonën e prekur rëndë nga flakët e zjarrit gjatë natës së shkuar. Gjatë kësaj vizite, Rama vlerësoi nga afër situatën e krijuar dhe dëmet e shkaktuara, ndërsa u informua për angazhimin maksimal të strukturave operacionale në terren.
Shefi i qeverisë takoi dhe shprehu mirënjohjen e tij për efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura dhe shërbimeve zjarrfikëse, si dhe të gjitha njësitë e tjera të përfshira në menaxhimin e situatës së rëndë. Angazhimi i tyre ka qenë vendimtar në mbrojtjen e jetës së banorëve dhe pronave.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama publikoi një video nga vizita, duke e shoqëruar me mesazhin: “Çfarë s’na vret na bën më të fortë!”, një shprehje që thekson qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të tejkaluar vështirësitë.
Gjatë inspektimit, Kryeministri Rama u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ata gjithashtu takuan banorët e zonës për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre.
Përballja me flakët ka përfshirë një angazhim të gjerë forcash dhe mjetesh. Në 24 orët e fundit, janë mobilizuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni për shuarjen e zjarrit është mbështetur gjithashtu nga helikopterët dhe avioni Air Tractor, i cili ka kryer ndërhyrje ajrore gjatë ditës.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se Bashkia e Himarës do të vijojë me procesin e identifikimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, me qëllim mbështetjen e banorëve të prekur.

