Top 5 This Week

Related Posts

Vrau nënën dhe plagosi babanë, 45-vjeçari kapet pas një ore

Arrestohet pas një ore 45-vjeçari që vrau nënën dhe plagosi babanë në Lushnjë

Një krim i rëndë familjar ka tronditur fshatin Zhymë të Lushnjës mbrëmjen e kaluar, ku Florion Dalladaku, 45 vjeç, dyshohet se ka vrarë nënën e tij dhe ka plagosur rëndë babanë. Autori u kap nga Policia rreth një orë pas ngjarjes makabre, teksa tentonte të largohej.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:20, në banesën e familjes Dalladaku. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 45-vjeçari dyshohet se ka goditur me një mjet metalik prerës, konkretisht një sqepar, nënën e tij, 80-vjeçaren Fanije Dalladaku. Si pasojë e plagëve të marra, Fanije Dalladaku humbi jetën menjëherë në vendngjarje.

Në të njëjtat rrethana, babai i autorit, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit. Ai ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve, me plagë të rënda.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe nisën kërkimet intensive për kapjen e Florion Dalladakut, i cili paraqiste rrezikshmëri. Kërkimet intensive rezultuan me arrestimin e tij brenda një ore.

45-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua pranë Spitalit Memorial në Fier. Ai u kap teksa drejtonte automjetin e vëllait të tij, në një tentativë për t’u larguar nga qarku i Fierit. Florion Dalladaku është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin e sekuestruar.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe motivit që çoi në këtë tragjedi të rëndë familjare. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta.

Popular Articles