Katër të plagosur nga flakët e benzinës gjatë riparimit të skafit në Porto Palermo
Katër persona kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit mbrëmjen e së hënës në Porto Palermo, pasi një sasi benzine dyshohet se mori flakë gjatë punimeve për riparimin e motorit të një skafi. Incidenti, i cili ndodhi rreth orës 19:20, ka lënë katër persona të lënduar.
Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, bëri të ditur se personat e plagosur janë identifikuar si XH. I., 40 vjeç, A. O., 38 vjeç, M. M., 25 vjeç dhe A. D., 18 vjeç. Ata janë paraqitur fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Himarës për ndihmën e parë mjekësore.
Pas marrjes së trajtimit fillestar, të katër të dëmtuarit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore më të specializuar. Nga verifikimet paraprake dyshohet se djegiet janë shkaktuar pasi personat kanë rënë në kontakt me benzinën që mori flakë gjatë riparimit të motorit të skafit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur menjëherë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.

