Top 5 This Week

Related Posts

I ekstraduar nga Britania për kultivimin e kanabisit në Berat, GJKKO lë në burg 31-vjeçarin Xhuliano Hoxha

GJKKO konfirmon masën e sigurisë për Xhuliano Hoxhën, të ekstraduarin për kultivim kanabisi në Berat

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhuliano Hoxhën, 31 vjeç, i cili u ekstradua së fundmi nga Britania e Madhe. Hoxha akuzohet si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në kultivimin e një sasie të konsiderueshme kanabisi, rreth 870 kilogramë, në zonën e Dronovicës në Berat, në një operacion të realizuar që në nëntor të vitit 2022.

Para trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtari Bib Ndreca dhe me prokurore Eëida Kaçkini, i pandehuri Hoxha nuk ka paraqitur asnjë pretendim lidhur me akuzat. Mbrojtja e tij u sigurua nga avokati i caktuar kryesisht nga shteti, Arben Peçi.

Arrestimi i Xhuliano Hoxhës u krye në Angli në tetor të vitit të kaluar. Më herët, në prill të vitit 2023, GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg në mungesë, një vendim që hapi rrugën për procedurat e ekstradimit nga Britania.

Operacioni i gjerë i antidrogës, i zhvilluar në nëntor 2022 në Dronovicë të Beratit, zbuloi sera të mëdha të mbjella me kanabis. Këto sera, në pronësi të Hamdi Dylit, ishin të ndara në katër pjesë, secila me një sipërfaqe prej dy dynymësh. Gjatë këtij aksioni, u ndaluan 105 persona, ku 95 prej tyre ishin gra të punësuara për pastrimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, 11 persona u arrestuan dhe 57 efektivë të policisë së Beratit, duke përfshirë edhe drejtues të lartë, u vunë nën hetim. Për shtatë prej tyre u mor vendimi për përjashtim të përhershëm nga radhët e Policisë.

Për shkak të natyrës dhe përmasave të aktivitetit kriminal, Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen për hetim të mëtejshëm Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), duke theksuar se aktiviteti drejtohej nga dy grupe kriminale. Si rezultat i këtij hetimi, GJKKO ka dënuar më parë 17 persona me një total prej 111 vitesh e 8 muajsh burgim. Dënimet më të larta, me nga 8 vite e 8 muaj burg, u caktuan për dy drejtuesit e dyshuar të grupit kriminal, Sadetin Hasajn dhe Blerim Xhekën.

Popular Articles