Top 5 This Week

Related Posts

Vijojnë operacionet për shuarjen e zjarrit në Krujë, mbi 280 forca në terren

Vijojnë me intensitet operacionet për shuarjen e zjarrit masiv në Malin e Krujës, mbi 280 forca në terren

Operacionet e gjerë për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit që ka përfshirë Malin e Krujës kanë vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, me angazhimin e plotë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura.

Mbi 280 forca operacionale janë angazhuar në terren për të përballuar situatën e vështirë. Burimet zyrtare bëjnë me dije se operacionet përfshijnë mbi 200 efektivë nga strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura, të cilëve u janë bashkuar edhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH).

Në mbështetje të punës në tokë, janë vënë në dispozicion një gamë e gjerë mjetesh dhe teknologjie. Këtu përfshihen 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë për ndërhyrje nga ajri, droni Bayraktar TB2 për monitorim, si dhe dy dronë me kamera termike të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC). Një autoambulancë është gjithashtu në gatishmëri, ndërsa Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë, koordinon dhe monitoron gjithë operacionin në kohë reale.

Autoritetet përgjegjëse theksojnë se operacioni vijon me një koordinim të plotë midis forcave tokësore dhe atyre ajrore. Prioritet kryesor mbetet mbrojtja e jetës së banorëve, siguria e banesave dhe pronave, si dhe vënia nën kontroll e plotë e vatrës së zjarrit.

Si pasojë e përhapjes së shpejtë të flakëve, gjatë orëve të natës u bë i nevojshëm evakuimi i banorëve nga zona Barabit–Lluban, në Bashkinë Krujë, si masë paraprake për të garantuar sigurinë e tyre.

Popular Articles