Ekzekutohet masa “Arrest në burg” për dy kushërinjtë e akuzuar për vrasjen në Shijak
Autoritetet policore kanë ekzekutuar këtë të hënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas, kushërinj me njëri-tjetrin, të cilët akuzohen si autorë të vrasjes së një 45-vjeçari në qytetin e Shijakut.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, janë vënë në pranga shtetasit I. F., 38 vjeç, dhe D. F., 36 vjeç, të dy banues në Shijak. Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë përfshirë në ngjarjen e rëndë.
Ngjarja për të cilën dyshohen ka ndodhur më datë 27 janar 2026, kur pas një konflikti të lindur për motive të dobëta, ata kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin D. Ç., 45 vjeç. Si pasojë e plagëve të rënda të marra, viktima ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Masa e sigurisë “Arrest në burg” është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Të dy kushërinjtë akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ekzekutimi i kësaj mase u krye nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.

