Ben Andoni: Presidenti Begaj duhej të reagonte ndaj protestave dhe të dëgjonte qytetarët
Analisti Ben Andoni ka vënë në dyshim rolin e institucioneve në vend dhe ka kritikuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, lidhur me reagimin e tij ndaj protestave mbarëkombëtare që kanë hyrë tashmë në ditën e 22-të. I ftuar në emisionin “Euronews” me gazetaren Alba Xhani, Andoni theksoi se kreu i shtetit duhej të kishte ndërmarrë veprime konkrete për situatën e krijuar.
Sipas Andonit, Presidenti Begaj, në rolin e përfaqësuesit të unitetit të popullit, duhej të kishte thirrur kryeministrin Edi Rama për të kërkuar llogari mbi zhvillimet aktuale. Më tej, analisti sugjeroi se kreu i shtetit duhej të kishte shkuar edhe vetë në bulevard për të takuar dhe dëgjuar zërin e protestuesve, si një shenjë angazhimi dhe solidariteti.
“Presidenti, si përfaqësues i unitetit të popullit, të paktën publikisht duhej ta thërriste Ramën dhe t’i kërkonte një lloj llogarie për gjithë këtë që po ndodh, madje edhe të shkonte në shesh dhe të dëgjonte protestuesit, pasi askush nuk do ta ngacmonte, përkundrazi do të mirëpritej prania e Presidentit në shesh,” u shpreh Andoni, duke theksuar se një veprim i tillë do të përforconte rolin e tij unifikues.
Andoni shtoi gjithashtu se protesta aktuale ka tejkaluar pritshmëritë fillestare dhe po shfaqet si një zhvillim i rëndësishëm politik dhe shoqëror në skenën e vendit, duke sinjalizuar një ndryshim të konsiderueshëm në dinamikat e brendshme.

