Ministria e Jashtme dënon ashpër përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Izraelit në Tiranë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ashpër pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Tiranë, ku persona të maskuar hoqën dhe përdhosën flamurin e Ambasadës së Izraelit. Ky veprim, i ndodhur gjatë një proteste, është cilësuar nga Ministria si një akt i rëndë urrejtjeje.
Në deklaratën e saj për mediat, Ministria theksoi se akte të tilla nuk mund të justifikohen me lirinë e shprehjes apo të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore. Përkundrazi, ajo i cilësoi si shfaqje të qarta të urrejtjes dhe intolerancës, të cilat janë absolutisht të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Sipas MEPJ, veprime të kësaj natyre janë krejtësisht të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane, të cilat Shqipëria aspiron t’i përqafojë dhe t’i zbatojë. Gjithashtu, ato bien ndesh me parimet thelbësore të respektit dhe bashkëjetesës, mbi të cilat është ndërtuar shoqëria shqiptare dhe që e karakterizojnë atë.
Ministria riafirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare, veçanërisht Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Njëkohësisht, ajo shprehu solidaritetin e plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit në Tiranë, duke theksuar se dhuna, frikësimi dhe gjuha e urrejtjes nuk do të gjejnë kurrë vend në shoqërinë demokratike shqiptare.

