Zëri i Diasporës në Tiranë: Protestuesja nga Franca bën thirrje për ndryshim dhe integrim europian
Një grua shqiptare, e cila kishte ardhur nga Franca, mori fjalën në protestën e organizuar të premten në Tiranë, duke ndarë me të pranishmit emocionet e saj të forta dhe thirrjen për ndryshim. Ajo shprehu se e kishte ndjekur me vëmendje dhe përjetuar thellësisht lëvizjen protestuese, aq sa thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” i dëgjonte edhe pasi mbyllte sytë.
Gjatë fjalës së saj plot ndjenjë, aktivistja nënvizoi rëndësinë e kthimit të shqiptarëve në vendlindje. “O Shqipëri, të mbushet shtëpia plot, të janë kthyer fëmijët,” tha ajo, duke theksuar se ky ishte një moment që e kishte ëndërruar për 20 vite. Ajo shprehu mirënjohje të thellë jo vetëm për bashkëatdhetarët e kthyer, por edhe për ata që kishin qëndruar në Shqipëri gjatë 35 viteve të fundit. “Sot ju përulem për të gjitha hallet, për të gjitha vështirësitë, për të gjitha momentet që keni menduar se jeni përkulur dhe keni përballuar një nga një të gjitha sfidat,” theksoi ajo, duke vlerësuar qëndresën e tyre.
Protestuesja theksoi nevojën për bashkim dhe ndryshim rrënjësor, duke bërë thirrje për një “revolucion”. Një mesazh i fortë u adresua edhe ndaj liderëve të Bashkimit Evropian, ku ajo sqaroi se “populli që meriton të futet në Evropë është ky dhe jo qeveria”. Ajo e mbylli fjalimin e saj duke falënderuar për mundësinë e kthimit dhe përjetimit të këtij momenti historik në Shqipëri.

