Gjuzi flet për largimin e Koçekut nga PS: Qëndrimi i grupit parlamentar do të vijë nga kryetari
Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, ka komentuar largimin e ish-deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS-së, e cila pak ditë më parë njoftoi se do të vijojë mandatin e saj si deputete e pavarur.
E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Gjuzi theksoi se për këtë zhvillim grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mbajë një qëndrim të përbashkët dhe zyrtar.
Gjuzi nënvizoi rëndësinë e unitetit brenda grupit, duke deklaruar se “një grup që funksionon siç duhet, nuk flet secili me kokën e vet”. Ajo shtoi se kryetari i grupit parlamentar të PS-së do të jetë ai që do të dalë me një qëndrim zyrtar që pasqyron pozicionin kolektiv të grupit.
Deputetja Gjuzi informoi se çështja e largimit të Koçekut ka qenë objekt diskutimi gjatë takimit të grupit të hënën. Ajo theksoi se personalisht nuk merret me komentet e bëra në rrjetet sociale, duke argumentuar se grupi parlamentar është një institucion më vete ku të gjitha çështjet duhet të diskutohen dhe trajtohen brenda tij, përpara se të artikulohet një pozicion publik.

