Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë, Ministri Hoxha: Riafirmohet mbështetja e fortë për rrugën drejt BE-së
Parlamenti Evropian miratoi sot projekt-rezolutën për Shqipërinë, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje për perspektivën evropiane të vendit. Ky zhvillim u pasua me reagimin e menjëhershëm të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili theksoi rëndësinë e këtij vendimi për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, Ministri Hoxha vlerësoi se votimi i sotëm në Strasburg riafirmoi edhe një herë mbështetjen e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, duke njohur njëkohësisht progresin e konsiderueshëm që vendi ka arritur në fushat kyçe të reformave. Sipas tij, ky akt është një votë besimi e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe për transformimin që ka ardhur si rezultat i viteve të reformave të vendosura dhe punës së palodhur.
Raporti i progresit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë u miratua me një shumicë dërrmuese, me 483 vota pro nga 656 anëtarë që morën pjesë në votim, çka përfaqëson rreth 74% të mbështetjes. Kjo miratim i Parlamentit Evropian vjen pas rekomandimit pozitiv të Komitetit AFET në muajin maj.
“Mesazhi është i qartë: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon, përpjekjet tona për reforma po japin rezultate të prekshme dhe objektivi ynë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm,” shkroi Ministri Hoxha, duke shprehur falënderime të sinqerta për Parlamentin Evropian, për Raportuesin Schieder, dhe të gjithë ata që vazhdojnë të mbështesin një proces zgjerimi të besueshëm, të drejtë dhe të bazuar në meritë.
Pavarësisht këtij hapi pozitiv, zyrtari i lartë shqiptar pranoi se ka ende shumë punë përpara. Ai theksoi se ky është pikërisht qëllimi i negociatave të pranimit: të vazhdohet me zbatimin e reformave të nevojshme për të përmbushur standardet e anëtarësimit dhe për të siguruar një transformim të qëndrueshëm. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të ruajtur vrullin aktual, për të përshpejtuar reformat, me objektivin për të përfunduar negociatat e pranimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

