LVV forcon pozicionin me një mandat shtesë nga diaspora, LDK zbret në 18 ulëse
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar një rritje prej një mandati falë numërimit të votave të diasporës dhe përfaqësive diplomatike. Ky zhvillim vjen ndërkohë që procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar.
Sipas ndryshimeve të fundit në shpërndarjen e mandateve, Vetëvendosje ka fituar mandatin e 53-të, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka humbur një ulëse, duke rënë tashmë në 18 ulëse në legjislativ.
Bazuar në rezultatet e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV prin me 47.07 për qind të votave, duke grumbulluar gjithsej 374,995 vota dhe 53 ulëse. Pas saj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet me 22 mandate dhe 19.49 për qind të votave. LDK, siç u theksua, ka siguruar 18 ulëse me 16.74 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka 7 mandate me 6.73 për qind të votave.
Megjithatë, KQZ thekson se rezultati përfundimtar mbetet i hapur. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se numërimi i votave me postë pritet të përfundojë sot, ndërsa më pas do të nisë procesi i numërimit të votave me kusht.
Këto të dhëna përfaqësojnë rezultate preliminare dhe ndarja përfundimtare e mandateve do të konfirmohet pas përfundimit të plotë të procesit të numërimit dhe certifikimit të të gjitha votave.

