Ambasadori i OSBE-së: Dhuna ndaj studentëve, e papajtueshme me parimet demokratike
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka shprehur shqetësim për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës kundër studentëve protestues në Tiranë. Ambasadori Michel Tarran i cilësoi këto akte dhune si “të papajtueshme me parimet e një shteti demokratik”, duke shprehur keqardhjen për incidentet e regjistruara gjatë javëve të fundit në kryeqytet.
“Jam i mendimit se aktet e dhunshme mbeten të papajtueshme me parimet e një shteti demokratik. Shprehim keqardhjen e thellë për serinë e incidenteve të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën gjatë javëve të fundit,” deklaroi ambasadori Tarran.
Këto deklarata ambasadori i bëri gjatë një vizite në Elbasan, ku mori pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Demokracia Vendore: Sa afër janë bashkitë me qytetarët?”. Gjatë fjalës së tij, Tarran theksoi nevojën për të forcuar komunikimin mes institucioneve dhe qytetarëve, duke vënë theksin se zëri i këtyre të fundit nuk duhet të anashkalohet në proceset vendimmarrëse.
“Nisur nga rrethanat aktuale, lind pyetja nëse është momenti i duhur për këtë forum, por ne jemi këtu pikërisht për të ndërtuar ura dialogu. Ajo që kam vënë re muajt e fundit është një deficit komunikimi, ku mendimi i qytetarëve është anashkaluar. Qytetarët duhet të ndiejnë mbështetje. Prania ime këtu synon t’u bëjë të qartë të gjithëve, e sidomos të rinjve, se demokracia nuk është një akt që konsumohet vetëm një herë në katër vjet te kutitë e votimit, por një mundësi e përditshme për të ndikuar në vendimmarrje,” u shpreh ai. Në përfundim, ambasadori theksoi rëndësinë e rikthimit të dialogut institucional, si një domosdoshmëri për kapërcimin e tensioneve dhe garantimin e një demokracie funksionale ku qytetarët kanë mundësi të shprehen dhe të ndikojnë në vendimmarrje.

