Top 5 This Week

Related Posts

Spiropali dënon deklaratën e ministres serbe: Barbarizëm verbal që turpëron Serbinë

Spiropali dënon ashpër deklaratën e ministres serbe për Kosovën: Barbarizëm verbal që turpëron Serbinë

Ish-ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar me forcë ndaj deklaratave të ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunović, lidhur me luftën në Kosovë. Spiropali e cilësoi qëndrimin e Paunović si të papranueshëm dhe fyese për viktimat e konfliktit, duke e quajtur atë “barbarizëm verbal”.

Në një reagim të saj, Spiropali shprehu habinë për faktin se një ministre e një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, shpreh hapur keqardhjen se në Kosovë “nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar”. Ky qëndrim, sipas Spiropalit, është shokues dhe i papranueshëm në një shoqëri demokratike.

“Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal”, shkruan Spiropali, duke theksuar se deklarata të tilla shkojnë përtej çdo limiti të debatit politik dhe bien ndesh me vlerat njerëzore.

Ish-ministrja nënvizoi se Europa nuk mund të heshtë përballë një gjuhe kaq të urryer. Ajo theksoi se kushdo që justifikon apo shpreh keqardhje që krimet nuk u kryen në përmasa më të mëdha, nuk mund të konsiderohet partner i vlerave evropiane. Sipas saj, persona me një retorikë të tillë duhet të mbajnë përgjegjësi të rënda, jo vetëm politike dhe institucionale, por mbi të gjitha humane.

Spiropali rikujtoi se liria e Kosovës nuk iu fal askujt, por u fitua me gjak dhe sakrifica të mëdha. Për të, mbrojtja e kujtesës së viktimave të luftës është një detyrim moral dhe politik për të gjithë Evropën, duke qenë se ky kujtim përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian.

Në përfundim, Elisa Spiropali theksoi se nëse Serbia e ka seriozisht rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ajo nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj një retorike kaq makabre. Deklarata të tilla, sipas Spiropalit, jo vetëm që e turpërojnë shtetin serb në sytë e komunitetit ndërkombëtar, por rrezikojnë ndjeshëm edhe bashkëjetesën paqësore me fqinjët e saj në rajon.

Popular Articles