Top 5 This Week

Related Posts

SPAK merr të pandehur krybashkiakun e Kolonjës Erion Isai dhe 11 të tjerë, dërgohet dosja për gjykim

SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai, dhe 11 persona të tjerë, akuza për shkelje tenderash

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për 12 persona, mes të cilëve edhe kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai. Akuza lidhen me shkelje të konstatuara në procedura të prokurimeve publike të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Bashkia Kolonjë.

Sipas SPAK, kryebashkiaku Isai akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në bashkëpunim. Përveç tij, në listën e të pandehurve janë përfshirë ish-zyrtarë të lartë të ARRSH-së, punonjës të Bashkisë Kolonjë, si dhe administratorja e një shoqërie private.

Hetimet e thelluara nga organi i akuzës kanë nxjerrë në pah parregullsi në disa procedura prokurimi. Një prej rasteve më të rëndësishme është tenderi për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me një fond limit prej rreth 2.88 miliardë lekë. SPAK pretendon se fondi limit i kësaj procedure është fryrë në mënyrë të pajustifikuar me rreth 590 milionë lekë, duke i shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm shtetit.

Gjithashtu, prokuroria ka evidentuar dyshime për falsifikim dokumentesh, përfshirë një procesverbal dorëzimi projekti që, sipas SPAK, nuk rezulton të ketë ekzistuar në realitet. Dokumentacioni i përdorur për këto procedura prokurimi thuhet se është hartuar dhe paraqitur në kundërshtim me ligjin.

Një tjetër procedurë e vënë në shënjestër nga SPAK është ajo për mbikëqyrjen e punimeve të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth. Në këtë rast, dyshohet se punonjës të Bashkisë Kolonjë, në bashkëpunim me kryebashkiakun Erion Isai, kanë favorizuar shoqërinë fituese “A&E Engineering” sh.p.k., përmes specifikimeve teknike dhe kritereve të tenderit të caktuara në mënyrë të padrejtë.

Dosja penale tashmë i është dërguar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila do të vendosë mbi kërkesën e SPAK për gjykimin e 12 personave të akuzuar.

Popular Articles