Shaip Kamberi: Koalicioni Shqiptar merr mbi 27 mijë vota në zgjedhjet e Serbisë, sipas rezultateve preliminare
Shaip Kamberi, politikani shqiptar në Serbi dhe prijës i listës së Koalicionit Shqiptar, ka bërë të ditur se ky subjekt ka arritur të fitojë 27.230 vota në zgjedhjet e sotme, bazuar në rezultatet preliminare.
Kamberi, përmes një postimi në platformën Facebook, shpjegoi se si pasojë e rritjes prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, numri llogaritës i votave për Koalicionin Shqiptar arrin në 36.761. Lajmi u raportua nga KosovaPress.
Në këtë rast, ai falënderoi qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin e tyre, të gjitha subjektet politike për bashkimin e treguar, si dhe kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij. Kamberi theksoi se ky rezultat është një dëshmi e bashkimit politik, e besimit qytetar dhe e përkushtimit të përbashkët për një përfaqësim dinjitoz. Ai e mbylli mesazhin me fjalët: “Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”

