Eurostat: Europa me më shumë gra, Shqipëria ndër vendet me balancën gjinore më të afërt
Një raport i fundit nga Eurostat zbulon një tendencë demografike interesante në të gjithë Europën, përfshirë Shqipërinë. Edhe pse në lindje dominojnë meshkujt, popullsia e përgjithshme numëron më shumë femra. Ky përmbysje e raportit gjinor, sipas ekspertëve, lidhet drejtpërdrejt me jetëgjatësinë më të lartë të grave.
Shqipëria shquhet në peizazhin europian për të pasur një nga diferencat më të vogla mes numrit të grave dhe burrave. Të dhënat e Eurostat për vitin 2025 tregojnë se në vendin tonë ka 102.2 gra për çdo 100 burra, një raport ky pothuajse identik me atë të Irlandës. Kjo shifër është dukshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila arrin në 104.2 gra për 100 burra. Në nivel rajonal, vetëm Maqedonia e Veriut paraqet një balancë pak më të afërt, me 101.9 gra për 100 burra.
Në pjesën më të madhe të Europës, panorama ndryshon. Latvia kryeson me një diferencë të theksuar, duke regjistruar 115.6 gra për 100 burra, e ndjekur nga Estonia dhe Lituania. Sipas Eurostat, ky dominim i femrave në shumicën e vendeve europiane i atribuohet faktit se gratë jetojnë më gjatë se burrat në çdo shtet të Bashkimit Europian.
Ndërsa gratë janë më të shumta në shumicën e vendeve europiane, ka pak përjashtime. Nga 41 shtete të analizuara nga Eurostat, vetëm gjashtë prej tyre numërojnë më shumë burra sesa gra. Malta shfaq diferencën më të madhe në këtë drejtim, me vetëm 88.3 gra për çdo 100 burra. Në të kundërt, vende si Islanda, Norvegjia dhe Suedia shfaqin një raport gjinor pothuajse të balancuar.

