Top 5 This Week

Related Posts

“Protesta frikësoi turistët”, Gonxhja: Në janar dhe shkurt kemi pasur shifra të larta! E respektoj protestën, por qershori pati rënie

Ministri Gonxhja: Protestat shkaktuan rënie në turizëm gjatë qershorit, pas një periudhe rritjeje të lartë

Tiranë – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka komentuar ndikimin e protestave të vazhdueshme në Tiranë mbi sektorin e turizmit, duke lidhur rënien e shifrave në muajin qershor drejtpërdrejt me situatën e krijuar prej tyre. I ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, Gonxhja theksoi se, pavarësisht respektit për të drejtën e protestës, demonstratat kanë ndikuar negativisht në perceptimin e stabilitetit, duke sjellë pasoja për atë që ai e cilëson si “lokomotiva e ekonomisë sonë”.

Sipas ministrit, periudha janar-maj shënoi një rritje “fantastike” në turizëm, pavarësisht sfidave të fillimvitit si fatkeqësitë natyrore, reshjet e dendura dhe problemet në infrastrukturën rrugore. Ai detajoi se, nga një rritje modeste në janar, shifrat kulmuan me 16% rritje në maj krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës. Mesatarja e rritjes për pesëmujorin e parë të vitit arriti në 8.2%.

Megjithatë, situata ndryshoi ndjeshëm në qershor. Gonxhja bëri të ditur se rritja e fluksit turistik në këtë muaj ra në vetëm 1.3% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, një rënie e ndjeshme nga 16% e majit. Sipas tij, ky ndryshim i menjëhershëm nuk mund të shpjegohet me ndonjë ndryshim tjetër thelbësor në vend.

“Shqipëria nuk ndryshoi dot nga data 30 maj dhe papritmas në qershor! Nuk ndryshoi asgjë në Shqipëri, nuk ka ndryshuar asnjë lloj faktori. Flasim për rezervime, flasim për pushime të organizuara, flasim për të njëjtin vend, flasim për të njëjtat shërbime, flasim për të njëjtat rrugë, për të njëjtat kushte,” argumentoi Gonxhja, duke theksuar se i vetmi faktor i ri në këtë periudhë ishte situata e protestës.

Ministri shprehu respektin e tij për protestën dhe shqetësimet që ajo përfaqëson, duke pranuar se ditët e para ishin absolutisht të kuptueshme. Por, ai vuri në dukje se zhvillimi i mëtejshëm i situatave të tilla duhet të orientohet drejt kanaleve institucionale, takimeve, ballafaqimeve dhe diskutimeve, qoftë në nivel parlamentar, social, apo me grupe interesi.

Sipas Gonxhja-s, vazhdimi i injorimit të ndjeshmërisë dhe rëndësisë së stabilitetit për turizmin, një sektor kyç për ekonominë shqiptare, krijon një perceptim negativ tek vizitorët ndërkombëtarë. Ky perceptim, theksoi ai, nuk është ai i duhuri dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shifrat e ardhjeve turistike.

Popular Articles