Velipojë: Lokali gjobitet me 200 mijë lekë për muzikë mbi normat e lejuara, ndëshkohet administratorja
Në kuadër të kontrolleve për respektimin e qetësisë publike gjatë sezonit turistik, Policia e Shkodrës ka gjobitur një lokal në Velipojë me një masë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj. Shkak i ndëshkimit ishte konstatimi se subjekti gjeneronte muzikë me nivel zhurme mbi kufijtë e lejuar ligjërisht.
Burime nga Policia e Shkodrës bënë të ditur se gjoba iu vendos administratores së lokalit, shtetases E. Gj., 23 vjeçe, pas verifikimeve të thelluara nga shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë. Kontrollet janë pjesë e një aksioni më të gjerë kundër ndotjes akustike dhe garantimit të një mjedisi të qetë për pushuesit dhe banorët.
Gjatë inspektimeve, efektivët e policisë përdorën matës të posaçëm për të testuar nivelin e zhurmës në disa ambiente turistike, si të hapura ashtu edhe të mbyllura. Nga matjet e kryera, rezultoi se niveli i muzikës në lokalin në fjalë tejkalonte normat e përcaktuara, duke shkaktuar ndëshkimin me gjobë.
Policia ka theksuar se këto kontrolle do të vijojnë me intensitet gjatë gjithë periudhës së verës. Përveç nivelit të zhurmës, do të monitorohet edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikën në ambientet e hapura, i cili është caktuar nga ora 11:00 deri në 24:00. Qëllimi kryesor i këtyre masave është garantimi i rendit publik, sigurisë dhe qetësisë për të gjithë vizitorët dhe komunitetin lokal në zonat turistike.

