Momente tensioni në Kaliforni: Surfisti i shpëton peshkaqenit falë ndërhyrjes së dronit
Një surfist në plazhin Seascape të Kalifornisë përjetoi momente ankthi më 10 qershor, pasi një peshkaqen i madh u pikas duke e rrethuar. Ndërhyrja e shpejtë e një operatori droni, i cili monitoronte zonën nga lart, bëri të mundur identifikimin e rrezikut dhe shpëtimin e të riut, i cili notoi me shpejtësi drejt bregut për sigurinë e tij.
Incidenti u regjistrua nga fotografi Nick Bertocchini, ndërsa ai filmonte vijën bregdetare me dronin e tij. Bertocchini vuri re kafshën detare duke notuar vazhdimisht rreth surfistit, i cili në ato momente ishte ulur mbi dërrasën e tij. Pas kësaj vëzhgimi alarmant, surfisti u njoftua menjëherë për praninë e grabiqarit dhe reagoi duke u larguar me shpejtësi nga zona.
Fotografi ka shpërndarë një video të ngjarjes në rrjetet sociale, e cila dokumenton qartë momentet kur peshkaqeni afrohej pranë surfistit. Pas shpëtimit, Bertocchini bisedoi me të riun, i cili theksoi se megjithëse kishte vite eksperience në surfing në atë zonë, kishte vënë re një rritje të ndjeshme të frekuencës së shfaqjes së peshkaqenëve pranë plazhit Seascape.
Vetë Bertocchini, i cili kryen shpesh filmime ajrore të bregdetit, ka deklaruar se shpesh sheh peshkaqenë gjatë punës së tij dhe ka qenë dëshmitar i shumë “takimeve” midis këtyre grabiqarëve dhe surfistëve profesionistë. Ai theksoi se në shumicën e rasteve, peshkaqenët duket se janë thjesht duke eksploruar mjedisin e tyre dhe vazhdojnë rrugën pa shkaktuar dëm. Megjithatë, ky incident shërben si një kujtesë për rëndësinë e vigjilencës dhe rreziqet e mundshme që ekzistojnë në ujërat detare.

