Kakavijë: Rritet ndjeshëm fluksi në kufi gjatë verës, 4 mijë persona dhe 1500 automjete në 24 orë
Stina e verës ka shënuar një rritje të ndjeshme të lëvizjes në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Gjatë ditëve të fundit, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që udhëtojnë përmes kësaj dogane, si nga Shqipëria drejt Greqisë ashtu edhe anasjelltas, ka qenë veçanërisht i lartë.
Sipas statistikave zyrtare të regjistruara në 24 orët e fundit, rreth 4 mijë persona dhe 1500 automjete kanë kaluar kufirin në të dyja drejtimet. Një pjesë e konsiderueshme e këtij fluksi përbëhet nga turistë të huaj, të cilët shfrytëzojnë këtë periudhë pushimesh për të vizituar destinacione të ndryshme natyrore dhe të trashëgimisë kulturore në rajon.
Në përgjigje të këtij fluksi të shtuar, stafet shqiptare të doganës dhe të Policisë Kufitare janë vendosur në gatishmëri të plotë. Objektivi është menaxhimi efikas i lëvizjes dhe garantimi i një kalimi sa më të shpejtë dhe të rregullt për të gjithë qytetarët dhe turistët që përdorin pikën kufitare të Kakavijës.

