GJKKO kthen sërish në SPAK dosjen e ish-kryebashkiakut Elvis Roshi, kërkon saktësim të akuzës
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kthyer edhe një herë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen hetimore ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i cili përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Vendimi vjen pas kërkesës së gjykatës për saktësimin e akuzës së ngritur ndaj tij.
Gjyqtarja Rudina Palloj mori këtë vendim pas dëgjimit të palëve në seancën e fundit gjyqësore. Më herët, gjykata i kishte dhënë mundësinë prokurorit për të korrigjuar mënyrën se si ishte formulimi i akuzës ndaj të pandehurit.
Gjatë zhvillimit të seancës, avokati mbrojtës i Roshit, Andi Skënderi, pretendoi se gjetjet e prokurorisë, kohëzgjatja e hetimeve dhe mënyra e ngritjes së akuzës nuk janë në përputhje me afatet procedurale të parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi.
Akuzat ndaj ish-kryebashkiakut Roshi lidhen me dyshimet për shpërdorim detyre në dy procedura tenderimi të zhvilluara në vitin 2014, ku njëra prej tyre kishte të bënte me shërbimin e pastrimit të qytetit. Pretendimet për shkelje burojnë nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka konstatuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh.
Në momentin e marrjes së vendimit, Gjykata e Posaçme nuk i bëri publike arsyet dhe detyrat specifike të lëna për SPAK-un, por pritet që detajet e plota t’u komunikohen palëve pas zbardhjes së aktit gjyqësor.

