Samiti i Kirgistanit: Erdogan dhe Putin diskutojnë thellimin e bashkëpunimit energjetik dhe situatën në Ukrainë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm në kuadër të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) në Kirgistan. Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në sektorin energjetik, me theks te termocentrali bërthamor Akkuyu, si dhe zhvillimet rreth luftës në Ukrainë.
Gjatë takimit, Presidenti Erdogan theksoi nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet Ankarasë dhe Moskës, duke i cilësuar ato si më të avancuara se kurrë më parë. “E konsideroj të rëndësishme që sot kemi mundësinë të zhvillojmë këtë takim. Marrëdhëniet Turqi-Rusi janë vërtet në një nivel shumë më të përparuar sot se në çdo kohë tjetër,” citohet të ketë thënë Erdogan.
Një pikë kyçe e agjendës ishte bashkëpunimi energjetik, veçanërisht përparimi i termocentralit bërthamor Akkuyu. Lideri turk vuri në dukje rëndësinë strategjike të këtij projekti për marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se ai tashmë po i afrohet fazës përfundimtare të përfundimit. Ai bëri gjithashtu të ditur synimin e Turqisë dhe Rusisë për të vazhduar bashkëpunimin në ndërtimin e centraleve të reja bërthamore, pasi Akkuyu të jetë vënë plotësisht në funksion.
Nga ana e tij, Presidenti Putin vlerësoi pozitivisht nivelin e bashkëpunimit ekonomik, duke e theksuar Turqinë si një nga partnerët më të privilegjuar të Rusisë, si në sferën e politikës së jashtme ashtu edhe në atë ekonomike.
Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, informoi se gjatë takimit u diskutuan edhe situata aktuale e luftës në Ukrainë dhe perspektivat për zgjidhjen e saj paqësore. Temat e tjera të rëndësishme përfshinin sigurinë në Detin e Zi, thellimin e tregtisë dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorin energjetik. Ushakov shtoi se Presidenti rus kishte planifikuar edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh pjesëmarrëse në samit, përfshirë Presidentin kinez Xi Jinping.

