Babai i Amy Winehouse humb gjyqin, dënohet të paguajë afro 1.1 milion euro miqve të vajzës së tij
Mitch Winehouse, babai i ikonës së muzikës britanike Amy Winehouse, është urdhëruar të paguajë një shumë prej gati 1.1 milion eurosh ish-stilistes dhe një mikeje të vajzës së tij të ndjerë. Vendimi vjen pas humbjes së tij në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Lartë në Londër, ku ai sfidoi shitjen e sendeve personale të këngëtares në ankand.
Sipas vendimit të gjykatës, Mitch Winehouse duhet t’u paguajë ish-stilistes Naomi Parry dhe mikes së Amy, Catriona Gourlay, rreth 1.1 milion euro. Kjo shumë mbulon kostot dhe dëmet pasi ai i paditi gratë, duke pretenduar se ato nuk kishin të drejtë të shisnin rrobat, aksesorët dhe objekte të tjera që i përkisnin vajzës së tij.
Padia e Winehouse erdhi pas një serie ankandesh të mbajtura mes viteve 2021 dhe 2023, ku u shitën plot 155 sende personale të këngëtares. Midis sendeve të shitura ishin veshje, balerina, çanta, vathë, grim, si dhe fustani i veshur gjatë turneut të saj të fundit në vitin 2011.
Gjatë gjyqit, Mitch Winehouse argumentoi se Parry dhe Gourlay kishin përfituar nga mungesa e vëmendjes së tij, duke fituar më shumë se 1.2 milion euro nga shitja e sendeve. Ai theksonte se sendet ose ishin dhënë hua ose nuk u përkisnin atyre plotësisht.
Megjithatë, gjyqtarja Sara Clark gjeti se gratë e paditura nuk kishin fshehur asgjë dhe se zoti Winehouse ishte në dijeni të planit për shitjen e sendeve. Sipas gjykatëses, ai kërkoi paratë vetëm pasi ankandet kishin përfunduar.
Gjykata kritikoi ashpër veprimet e Mitch Winehouse, duke theksuar se ai ngriti një “padi në thelb të dobët” dhe bëri “akuza serioze, por të pabaza”, të cilat dëmtuan reputacionin, karrierën, sigurinë financiare dhe shëndetin e të pandehurave.
“Fakti që ai me vetëdije dhe qëllimisht ua bëri këtë dy grave të reja që qëndruan me besnikëri në krah të Amy-t, e bën sjelljen e tij veçanërisht të rëndë,” deklaroi gjyqtarja Clark, duke nënvizuar gravitetin e çështjes.
Në një vendim të mëparshëm të prillit, gjykatësi kishte theksuar se Amy Winehouse ishte e njohur për bujarinë e saj të madhe ndaj miqve dhe rrethit të saj. Këngëtarja, e njohur për zërin e saj unik dhe stilin e saj, ndërroi jetë në korrik të vitit 2011, në moshën 27-vjeçare, si pasojë e helmimit me alkool.

