Hamza: Amendimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara synojnë zbatimin e Kushtetutës, jo mbylljen e Gjykatës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka theksuar sot se propozimi i partisë së tij për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale, por garantimin e zbatimit të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Deklarata e Hamzës u bë gjatë shqyrtimit të këtyre amendamenteve në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Hamzës, çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara është një temë që kapërcen kufijtë e një partie politike dhe mandatet e disa qeverive. Ai e përshkroi atë si një diskutim thelbësor që ndikon në historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
Lideri i PDK-së rikujtoi se vendimi për krijimin e Dhomave të Specializuara kishte qenë i vështirë, por se deputetët që e mbështetën atë, ishin bindur se pretendimet për trafikim organesh nuk do të vërtetoheshin. Ai shtoi se “devijimi” i gjykatës nga ajo që ishte votuar fillimisht në Kuvend, është një çështje tjetër që meriton vëmendje.
Hamza shprehu kundërshtimin e tij të veçantë ndaj gjetjeve për ndërmarrje të përbashkët kriminale, duke ritheksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë “e drejtë, e pastër dhe luftë e popullit të Kosovës”.
“Ne nuk po kërkojmë të mos ketë drejtësi apo të mos gjykohet krimi. Nuk po e mbyllim gjykatën,” sqaroi Hamza. “Po kërkojmë mbikëqyrje, po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës,” përfundoi ai, duke theksuar synimin e amendamenteve të propozuara nga PDK.

