Gjykata Administrative urdhëron zhbllokimin e pagave dhe shpenzimeve për GJKKO, detyron Financat dhe Thesarit të vijojnë procesimin
Gjykata Administrative ka pranuar një kërkesë për marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke detyruar Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit Tiranë të mos pengojnë apo pezullojnë procesimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas vendimit gjyqësor, masa e sigurimit ndalon menjëherë efektet e veprimit administrativ të Ministrisë së Financave, si dhe çdo veprim pasues të strukturave të Thesarit, të cilat kanë sjellë mosprocedimin, pezullimin apo pengimin e dokumenteve financiare të GJKKO-së.
Gjykata urdhëron që, gjatë gjithë kohëzgjatjes së masës së sigurimit, Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë duhet të vijojnë pa ndërprerje procesimin e listëpagesave dhe urdhër-shpenzimeve të paraqitura nga GJKKO-ja.
Ky vendim është i ekzekutueshëm menjëherë. Në rast të mosekzekutimit, parashikohet përgjegjësi për shërbimin përmbarimor gjyqësor, qoftë shtetëror apo privat, i cili do të ngarkohet me zbatimin e tij.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën Administrative të Apelit. Afati ligjor për paraqitjen e ankimit është 5 ditë nga data e njoftimit zyrtar të vendimit.

