Reagim i fortë nga Deco: “Skandal botëror” mungesa e Pedrit dhe Raphinhas në listën e Topit të Artë
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij të thellë ndaj listës së 30 kandidatëve për Topin e Artë, duke e cilësuar si “skandal botëror” mungesën e mesfushorit Pedri dhe sulmuesit Raphinha.
Ish-futbollisti portugez, aktualisht në rolin e drejtorit sportiv të klubit katalanas, foli për këtë çështje gjatë një interviste në emisionin “El Món a RAC1”. Ai kritikoi ashpër përzgjedhjen e bërë nga “France Football”, revistë që organizon çmimin prestigjioz.
“Për mua është një skandal botëror që Pedri dhe Raphinha nuk janë në listë. Ka padrejtësi që ndodhin. Fakti që Pedri nuk është aty, me talentin që ka, më duket i pakuptueshëm,” deklaroi Deco, duke theksuar besimin e tij në vlerat dhe kontributin e dy lojtarëve.
Ndërkohë, drejtori sportiv i Barcelonës beson se ylli i ri, Lamine Yamal, është kandidati kryesor për ta fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll në të ardhmen. Përveç Pedrit dhe Raphinhas, të cilët konsiderohen mungesa të mëdha, Barcelona përfaqësohet në listën e shkurtër nga Lamine Yamal, Pau Cubarsí dhe Ferran Torres.
Ceremonia e ndarjes së Topit të Artë do të mbahet më 26 tetor në Londër, ku do të zbulohen fituesit e edicionit të këtij viti.

