Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka dënuar ashpër incidentet e fundit ku deputete të Partisë Socialiste u sulmuan nga protestues, duke i cilësuar ato si shfaqje të “fashizmit të ri”. Në një intervistë për Euronews Albania, Braçe theksoi se liria politike është një e drejtë kushtetuese dhe çdo tentativë për ta cënuar atë përbën një rrezik për demokracinë.
Duke iu referuar ngjarjes së një dite më parë, ku deputetja Iris Luarasi u ndoq dhe u ofendua, Braçe bëri të ditur se incidentet nuk ishin të izoluara vetëm me Luarasin. Ai shtoi se edhe deputetja Briseida Çakërri, së bashku me Luarasin, ishin ndaluar me forcë teksa po dilnin nga parkingu i qendrës tregtare “Toptani”. Atyre u ishte kufizuar liria e lëvizjes dhe, sipas Braçes, ishin dëmtuar edhe mjetet e tyre. Ai e përshkroi sulmin si “dhunshëm barbarisht, të turpshëm dhe të neveritshëm”.
Socialisti Braçe vuri theksin te natyra e re e fashizmit, duke argumentuar se ai nuk manifestohet domosdoshmërisht me dhunë fizike të armatosur, por me kufizimin e lirisë individuale dhe politike. “Fashizmi i ri pikërisht këto elementë ka,” theksoi ai, duke iu referuar shprehjes së përdorur nga protestuesit, se deputetet kishin bërë “zgjedhjen e gabuar historike.” Braçe hodhi poshtë çdo ide që dikush tjetër, qoftë Adriatik Lapaj, Agron Shehaj, Alind Qori apo kushdo tjetër, të përcaktojë zgjedhjen politike të një individi, duke mbrojtur të drejtën për zgjedhje të lirë në një vend demokratik.
Deputeti socialist nuk la pa kritikuar edhe reagimin e vonuar të forcës së tij politike. Ai theksoi se Partia Socialiste u kujtua të reagonte vetëm sot, ndaj asaj që ai e quajti “shenjat e para të një fashizmi që cënon drejtpërdrejt lirinë e zgjedhjes individuale dhe që shkon deri në linçim të individëve për shkak të zgjedhjes së tyre dhe lirisë së tyre politike.” Kjo valë sulmesh, sipas Braçes, cenon drejtpërdrejt lirinë e zgjedhjes politike dhe individuale në Shqipëri.

