Top 5 This Week

Related Posts

La vajzën 11-vjeçare vetëm për dy ditë për të parë ndeshjen në Elbasan, nën hetim babai

Babai lë vajzën 11-vjeçare vetëm në shtëpi për dy ditë, hetohet pasi udhëtoi për ndeshje futbolli në Shqipëri

Policia në Qipro ka nisur një hetim për neglizhencë të rëndë ndaj fëmijëve, pasi një babai dyshohet se la vajzën e tij 11-vjeçare vetëm në shtëpi për dy ditë, me qëllim që të udhëtonte drejt Shqipërisë për të ndjekur një ndeshje futbolli.

Ngjarja u zbulua mbrëmjen e së enjtes, kur efektivët e policisë, pas një njoftimi, mbërritën në banesën e familjes dhe gjetën vajzën e mitur pa asnjë të rritur pranë. E pyetur nga autoritetet, 11-vjeçarja dyshohet se ka deklaruar se babai i saj kishte udhëtuar jashtë vendit për të parë një ndeshje futbolli dhe ishte larguar prej dy ditësh.

Sipas të dhënave që po hetohen nga autoritetet qipriote, babai kishte udhëtuar drejt Elbasanit, në Shqipëri, për të ndjekur ndeshjen e eliminatoreve të Ligës së Konferencës së UEFA-s, mes skuadrës Paphos FC dhe Dynamo City. Mësohet se klubi qipriot kishte organizuar edhe një udhëtim zyrtar për tifozët, i cili kishte nisur më 19 gusht nga Paphos.

Pas konstatimit të rastit, shërbimet e Mirëqenies Sociale u informuan menjëherë dhe morën përsipër mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijën. Ndërkohë, policia ka nisur procedime penale ndaj babait, i cili akuzohet për neglizhencë dhe abuzim ndaj fëmijës.

Hetimet janë në vazhdim e sipër. Deri tani nuk është bërë publike nëse babai është kthyer në Qipro apo nëse autoritetet kanë lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij.

Popular Articles