Incident me të shtëna armësh nga jahti në Palasë, Policia në ndjekje të mjetit lundrues
Një incident me të shtëna armësh është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën bregdetare të Palasës, ku dyshohet se zjarri është hapur nga një jaht. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, duke vënë menjëherë në lëvizje forcat e rendit.
Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së njoftimit për të shtënat, në operacionin për identifikimin dhe ndalimin e mjetit lundrues janë angazhuar shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare.
Njëkohësisht, Komisariati i Policisë Himarë dhe Stacioni i Policisë Dhërmi po kryejnë kontrolle të thelluara përgjatë gjithë vijës bregdetare. Këto veprime synojnë kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti.
Operacioni për ndalimin e jahtit dhe verifikimin e shkakut të të shtënave vijon. Policia ka theksuar se informacion i plotë dhe detaje shtesë mbi rastin do të jepen për publikun pasi të përfundojnë veprimet e para hetimore në terren.

