Mbledhja me drejtuesit politikë të qarqeve përfundon, Rama jep ‘porositë’: Afërsi me qytetarët dhe protestat ‘luftë digjitale’
Kryeministri Edi Rama ka përfunduar sot një mbledhje që zgjati më shumë se një orë me drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e Partisë Socialiste. Takimi, i cili nisi pak minuta pas orarit të planifikuar të orës 08:30, trajtoi çështje të rëndësishme lidhur me angazhimin e strukturave partiake dhe qeverisë me publikun.
Gjatë mbledhjes, Kryeministri Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë dhe ministrave që të forcojnë praninë dhe komunikimin me qytetarët, duke adresuar shqetësimet dhe nevojat e tyre. Një nga temat e prekura ka qenë edhe vala e protestave që prej më shumë se tre javësh po zhvillohen në Tiranë, ku Rama i ka cilësuar ato si një “luftë digjitale” të cilën shtoi se nuk është e mundur ta luftosh në mënyrë tradicionale.
Pas përfundimit të takimit, Kryeministri Rama u largua nga selia e PS-së i shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Pas një komunikimi të shkurtër mes tyre, Rama përshëndeti shkurtimisht mediat pa bërë deklarata, përpara se të nisej drejt takimit të radhës.
Sipas axhendës së tij, Rama do të zhvillojë një tjetër takim me kryebashkiakët në orën 09:30, i cili pritet të mbahet në ambientet e ish-hotel “Dajtit” në Tiranë.
Kjo seri takimesh vjen pak ditë pas një mbledhjeje të zgjeruar që Kryeministri zhvilloi me Grupin Parlamentar dhe qeverinë, si dhe në një kohë kur Shqipëria, veçanërisht kryeqyteti, po përjeton protesta të vazhdueshme me kërkesën për dorëheqjen e tij.

